MANDIQ FAJËSON LQ URA DHE PSP PËR DËSHTIMIN E BISEDIMEVE

Lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, tha se janë duke diskutuar për zgjidhjet programore dhe kadrore të qeverisë që nga shtatori dhe se liderët e LQ URA dhe PSP kanë premtuar se do të nënshkruajnë edhe kërkesën për thirrjen e seancës së Kuvendit për zgjedhje të qeverisë. “Ne kishim rënë dakord që të caktohej Kuvendi, prandaj u mblodhëm. Më lejoni të them që fill para votimit të buxhetit kemi biseduar me Abazoviqin dhe Jokoviqin dhe kemi marrë premtime të prera se Kuvendi do të caktohet para datës 20 janar, kur është data e fundit për thirrjen e zgjedhjeve presidenciale. Këtë e konfirmuam para Vitit të Ri, në një takim me mandatarin Miodrag Lekiq. Kur erdhi koha, mungonin nënshkrimet e tyre”, tha Mandiq për RTMZ.Ai ka theksuar se e kanë kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. “Atë e pamë më 18 shtator, kur duhej t’ia dorëzonim nënshkrimet Millo Gjukanoviqit dhe kur mungonin katër nënshkrime nga LQ URA dhe Civis”, shtoi Mandiq.

SHARE