“Serbia po mobilizon ushtrinë dhe po injoron thirrjet e NATO-s për uljen e tensioneve midis dy armiqve ballkanikë të kohës së luftës.” Mediat ndërkombëtarë i kanë bërë jehonë zhvillimeve në veri të Kosovës, mes shqetësimeve për një konflikt të ri Serbi-Kosovë. Ushtria serbe thotë se është në “nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë luftarake” pas javësh të përshkallëzimit të tensioneve midis dy vendeve, raporton BBC. Ndërsa sot, Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç vizitoi një bazë ushtarake në Rashkë, afër kufirit me Kosovën. Më herët edhe Ministri i Brendshëm Bratislav Gasic tha se “urdhëroi gatishmërinë e plotë luftarake” dhe se forcat do të vendosen nën komandën e shefit të shtabit të ushtrisë sipas planit të tyre operacional. Ai tha se ka vepruar sipas urdhrave të presidentit serb në mënyrë që të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë. Kjo deklaratë e Vuçiq, më e forta deri tani, vjen pas pretendimeve të Beogradit se Prishtina po përgatit një sulm ndaj zonave etnike serbe në veri. Pretendime të cilat Prishtina i quan lojëra fjalësh që sjellin telashe.