KFOR: TË SHMANGET ÇDO PËRSHKALLËZIM I RI NË VERI TË KOSOVËS

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dhënë një mesazh të qartë për Kosovën dhe Serbinë: Jo retorika që cojnë në përshkallëzim, ulni tensionet! Në një intervistë për televizionin francez France 24, Stoltenberg është ndalur tek tensionet në veri të Kosovës dhe tha se aleanca është shumë e fokusuar në rajon. “NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes misionit të KFOR-it i cili ka thuajse 4000 anëtarë dhe është faktor kyç në stabilizimin e rajonit dhe situatës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Stoltenberg u shpreh se forcat e NATO janë të gatshme, të afta dhe ‘vigjilente’ dhe theksoi se ata po monitorojnë situatën me shumë kujdes. Ai nënvizoi se forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë, ndërkohë që theksoi se kërkesa e tij për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensioneve. Edhe vetë misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar duke thënë se e vetmja rrugë drejt paqes është që Kosova e Serbia t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut. Në një postim në mediat sociale thuhet se mes dy vendeve duhet të arrihet një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. “E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij”, thuhet në reagim.

SHARE