BE E SHQETËSUAR PËR MUNDËSINË QË TENSIONET NË KOSOVË TË BARTEN NË RAJON

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara. Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë në konferencën për shtyp se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin. Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth fatit të propozimit franko-gjerman për marrëveshje, dhe zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë se “prioritet është ulja e tensioneve”. “Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano. Stano ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës që të bëjë hapa të menjëhershëm drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj. Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, ka thënë ai, duke nënvizuar se për këtë, Borrel gjatë fundjavës kishte diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “BE-ja dëshiron t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga eskalimi momental. Kjo është rruga që çon deri te perspektiva evropiane për të dy partnerët”, ka theksuar ai. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

SHARE