Kryemiistri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Berlin kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, çështjen e energjisë, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale. “Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e 3 nëntorit. Pas takimit Borrell ka shkruar në Twitter se me Kurtin ka diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës, duke shtuar se djegia e veturave me targa RKS atje është e papranueshme. “E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.