POLICIA E KOSOVËS NIS LËSHIMIN E LETRAVE QORTUESE PËR TARGAT ILEGALE

Policia e Kosovës është duke lëshuar letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë.  Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të tilla, që i lëshon Serbia. Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, apo Republika e Kosovës, do të zhvillohet në tri faza. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë. Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq. Vuçeviq nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhet me situatën në Kosovë.

SHARE