DASH, HAPUR I PAKËNAQUR: KËRKUAM SHTYRJE TË PLOTË, JO TË PJESSHME TË VENDIMIT PËR TARGAT

Shtetet e Bashkuara nuk e fshehin pakënaqësinë nga vendimi i Kosovës për targat, të kthyer në një ngërc të madh jo vetëm mes Prishtines e beogradit, por edhe mes saj e ndërkombëtarëve. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price doli hapur me ankesën se SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës shtyrje me 10 muaj të zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave dhe nuk prisnin vetëm një shtyrje të pjesshme. Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së Kosovës një shtyrje të plotë. Nga sot, ka nisur faza e parë e zbatimit të vendimit, që përfshin të ashtëquajturin qortim për pronarët e makinave me targa serbe. Faza e dytë parashikon gjobë prej 150 eurosh për drejtuesit e automjeteve me targa të tilla; ajo nis nga 21 nëntori e zgjat deri më 21 janar. Më tej do të përdoren targat e provës dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullohet më me targa të tilla. Price e theksoi se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” dhe e “të shqetësuara” që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën dhe këshillën e partnerëve të saj më të ngushtë sa i përket zbatimit të vendimit. Përfaqësuesit politik të serbëve kanë paralajmëruar rezistencë ndaj gjobave të mundshme pas 21 nëntorit. Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për dëmtimin e interesave strategjike të vendit duke mos përfillur kërkesat e aleatëve në një periudhë kur janë shtuar përpjekjet për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

SHARE