MEDOJEVIQ I KËRKOI GJUROVIQ NJË TAKIM ME LIDERËT E PARTIVE

Kryetari i Lëvizjes për Ndryshim, Nebojsha Medojeviq, i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviq, që të inicojë takimin e liderëve të partive parlamentare me qëllim të hapjes së dialogut për, siç tha ai, gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe demokratike ndaj krizës së thellë politike që ka paralizuar institucionet dhe ka bllokuar proceset politike në vend. “Duke qenë se formimi i Qeverisë së 42-të dhe 43-të, në kundërshtim me vullnetin elektoral të qytetarëve dhe me parimet e zakonshme demokratike, pati pasoja jashtëzakonisht negative për stabilitetin e demokracisë dhe institucioneve dhe zhvillimin ekonomik të vendit, vlerësoj se janë plotësuar të gjitha kushtet politike që Kuvendi i Malit të Zi të hapë një dialog mes partive parlamentare, me synimin për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë për zgjidhjen e kësaj krize që kërcënon të destabilizojë vendin dhe të ndalojë proceset reformuese dhe integruese,“ deklaroi Medojeviq në një letër të hapur drejtuar kryetares të Parlamentit. Duke qenë se kriza të tilla të legjitimitetit të institucioneve më të rëndësishme të sistemit politik mund të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe paqësore vetëm përmes zgjedhjeve të ndershme, siç vlerësoi ai, dialogu duhet të zhvillohet mbi parakushtet, kohën e mbajtjes, shkrirjen me zgjedhjet presidenciale, përgatitjen e atyre zgjedhjeve dhe zhbllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese, prokurorisë dhe gjyqësorit, zgjedhjen e PLSH-së, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kompletimin e Këshillit Gjyqësor.

SHARE