PALMER: MALI I ZI E BËRI ALEANCËN MË TË FORTË DHE MË TË MIRË

Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Metju Palmer, vlerësoi se Mali i Zi, me hyrje në NATO arriti shumë sukses dhe e bëri Aleancën më të fortë dhe më të mirë, dhe se tani fokusi është në pranimin e Maqedonisë.

“Për fillim, do të doja të them se pranimi i Malit të Zi si anëtarja e 29 e NATO-s ishte sukses i madh. Qeveria është angazhuar për këtë dhe ka punuar shumë për t’u kualifikuar, për të përmbushur standardet, për të treguar se ata do të jenë një partner i mirë në Aleancë, dhe se do të japin kontributin e tyre. Ata arritën ta bëjnë këtë. Unë qëndrova pranë kryeministrit të MZ, Dushko Markoviq, kur erdhi në Washington për të dhënë instrumentin e antarësimit. SHBA është kujdestari i këtyre dokumenteve dhe ishte ky një moment i fortë. Ishte diçka për të cilën ne punuam shumë, për të cilat Mali i Zi punoi shumë. Ata e kanë bërë aleancën më të fortë dhe më të mirë”, tha Palmer  për portalin European Western Balkans.

Palmer tha se politika amerikane në Ballkanin Perëndimor është e fokusuar dhe e përkushtuar për t’i ndihmuar këto vende të arrijnë qëllimet e tyre, gjegjësisht “të bashkohen me institucionet evropiane dhe euroatlantike, që përfundimisht nënkuptojnë anëtarësimin në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Për të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, kjo do të thotë anëtarësimin në NATO, tha Palmer, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të promovojnë partneritetin më të afërt të mundshëm midis NATO-s dhe Serbisë.

Pallmer gjithashtu tha se Washingtoni po përpiqet t’i japë Beogradit dhe Prishtinës hapësirën për të arritur “marrëveshjen më të mirë të mundshme”, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Ajo që ne do të donim të shihnim është një marrëveshje gjithëpërfshirëse lokale, e cila çon drejt përparimit. Ajo që ne po mundohemi është që vetë palëve tu japim hapësirë të negociojnë një marrëveshje më të mirë të mundshme. Një gjë që është fer, diçka që është e përhershme, një gjë e cila mund t[ë shitet edhe në Serbi edhe në Kosovë”, tha Palmer.

SHARE