SULMI KIBERNETIK I IRANIT, RIKTHEHET SISTEMI TIMS NË AEROPORTIN E RINASIT

Është rikthyer sistemi TIMS në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, pas një bllokimi prej më shumë se 24 orësh, si pasojë e sulmit kibernetik të Iranit. Sistemi është tashmë në funksion të plotë dhe regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve në aeroport, do të bëhet përmes tij. Po ashtu sistemi TIMS është rikthyer edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, por sipas Drejtorisë së Policisë Korçë, sistemi momentalisht është i ngadaltë.  Sistemi është kthyer edhe në pikën kufitare të Kakavijës, Hani i Hotit, Muriqanit dhe Morinës.  Ndërkohë bëhet me dije se sistemi TIMS ende nuk është rikthyer në Portin e Durrësit dhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri përgjegjës Iranin për sulmin, ku tha se është e njëjta dorë që sulmoi shërbimet publike online në muajin korrik. Si pasojë e këtij sulmi, për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Pikërisht për shkak të kërcënimit të sigurisë së vendit nga sulmi kibernetik Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuare sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemit TIMS në Shqipëri. Në një postim në Twitter, Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, shkruan se Irani sulmoi një aleat të SHBA, teka thekson se administrata amerikane do të bashkëpunojnë me Shqipërinë për të forcuar mbrojtjen kibernetike të vendit.

SHARE