Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj dhe homologu i tij malazez Rashko Konjeviq i cili paraprakisht u prit me ceremoni të larta ushtarake nga Mehaj në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë. Ministri Mehaj pas takimit dhe marrëveshjes me ministrin Konjeviq, e konsideroi takimin të frytshëm, të domosdoshëm si dhe rikonfirmues të bashkëpunimit të dy shteteve fqinje. Mehaj tha se nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim ngritë bashkëpunimin në shumë fusha, duke marrë parasysh përvojën e këtij shteti në anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike (NATO). “Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si domosdoshmëri në aspektin e sigurisë, stabilitetit, demokracisë mes dy vendeve tona por edhe të mirën e rajonit gjithëpërfshirës. Bashkëpunimi do të shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale sa i përket kuadrove tona akademike, specialistike e deri tek angazhimi me mbështetje reciproke me kapacitete operacionale në rast të emergjencave”, theksoi Mehaj. Ai tha se thellimi i bashkëpunimit do të lehtësojë efektivitetin por edhe kërcënimet që janë të njëjta për të dyja shtetet, por edhe rajonin, si dhe rreziqet që prekin kontinentin por edhe ato globale. Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Rashko Konjeviq tha se Mali i Zi dhe Kosova kanë pasur marrëdhënie të mira që kur vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 2008 ndërsa sot u konkretizua edhe një marrëveshje bilaterale në fushën e mbrojtjes. Konjeviq theksoi se Mali i Zi mund të jetë i dobishëm për Kosovën në reformat në fushën e mbrojtjes, sepse të gjitha këto i ka kaluar para se të anëtarësohej në NATO, në vitin 2017. Ministri Konjeviq theksoi se takimi i sotëm me homologun kosovar ishte edhe mundësi për të shkëmbyer mendime për çështjet aktuale rajonale. “Mali i Zi kudo që ka mundësi do ta mbështesë Republikën e Kosovës në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e disa nismave rajonale ose për të përmirësuar statusin e saj. Ne besojmë se përmes këtij lloji bashkëpunimi rajonal do të vendoset bashkëpunim shtesë politik dhe i sigurisë si dhe do të dërgohet mesazh nga Mali i Zi, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit se ekziston një vizion i përbashkët, që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Konjeviq.