SHQIPËRI, STAFI LARGOHET NGA AMBIENTET E AMBASADËS IRANIANE

Stafi i Ambasadës së Iranit në Tiranë është larguar nga ambientet e selisë diplomatike, pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Gjatë ditës së sotme godina e ambasadës është boshatisur nga personeli i saj, ndërsa më pas forcat policore kanë kryer kontrollet në godinë. Zyrtarisht nuk janë raportuar incidente, ndërkohë, në ambientet e godinës që ka shërbyer si ambasadë e Iranit në vitet e fundit është vërejtur djegia e dokumentacionit. Ndërkohë, autoritete e Shqipërisë ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse i gjithë stafi i ambasadës iraniane është larguar nga territori i vendit. Sot, gjatë ditës përmes një njoftimi Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se Teherani ka qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë. “Ky është vendim i pamatur dhe i nxituar, që është bazuar në insinuata të pabazuara”, ka thënë Ministria e Jashtme iraniane. Sipas ministrisë, vetë Irani ka qenë viktimë e sulmeve kiberbetike në infrastrukturë kritike.

SHARE