KONKURS PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT MË TË MIRË

Ministria e Arsimit të MZ, ka shpallur konkursin për ndarjen e 332 bursave për studentët më të mirë, studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me profesione deficitare për mësimdhënie në gjuhën shqipe për vitin e ardhshëm akademik.

Nga Ministria e Arsimit theksuan se do të ndahen 200 bursa për studentët më të mirë që e zgjasin të drejtën për bursë, për 100 studentët më të mirë të cilët konkurrojnë për herë të parë, 20 studentë me aftësi të kufizuara dhe 12 studentë të profesioneve të deficitare për mësimdhënie në gjuhën shqipe.

“Të drejtë për të konkurruar në bursë kanë studentët nga vitet e dyta dhe vitet e mëparshme të studimeve, të cilët për herë të parë kanë regjistruar semestrin e vitit akademik të tanishëm dhe të cilët nuk kanë humbur as një vit studimi dhe të cilët sipas programit mësimor të institucionit të arsimit të lartë në të cilin studiojnë i kanë kaluar të gjitha provimet nga vitet e mëparshme të studimeve dhe kanë arritur indeksin e suksesit të paktën notën nëntë “, thuhet në kumtesë.

Në kuadër të konkurseve për ndarjen e Bursave për studentët më të mirë, është hapur edhe konkursi për studentë shqiptarë të cilët dëshirojnë të studiojnë në lëndët deficitare për arsimin shqip në Mal të Zi.

Duke e parë nevojën dhe mungesën e kuadrove në arsimin shqip, ministria e arsimit e Malit të Zi vazhdon të stimulojë e ndihmojë studentë shqiptarë duke ndarë disa bursa të veçanta për fusha të caktuara që janë identifikuar si deficitare në shkollat shqipe në Mal të Zi. Bëhet fjalë për lëndët e matematikës, gjuhës italiane, fizikës, kimisë, biologjisë, muzikës etj. pohon për Televizionin Boin, Marash Dukaj, drejtor gjeneral i Drejtorisë për arsimin e pakicave pranë ministrisë së arsimit të Malit të Zi.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve është nga 3 shtatori deri më 19 tetor 2018.

SHARE