DEPUTETËT E MALIT TË ZI DISKUTUAN MBI MOSBESIMIN E QEVERISË SË 43-të TË MALIT TË ZI

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot në një seancë të jashtëzakonshme diskutuan dhe shprehen mendimin e tyre për propozimin për mosbesimin e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.   Rendi i ditës u miratua me votat e 54 deputetëve, pa asnjë abstenim dhe asnjë kundërshtim. Deputeti i PDS-së, Danijel Zhivkoviq, thekson se qeveria e Abazoviqit ka humbur besimin për shkak të agjendës së dobët evropiane. Sipas Zhivkoviqit, do të duhet të shkojmë në zgjedhje ku më në fund do të zgjidhet një qeveri e qëndrueshme politike, sepse Mali i Zi nuk ka më të drejtë për asnjë eksperiment politik. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq  ka deklaruar se ata që po tentojnë ta rrëzojnë i ka shqetësuar fakti që është pjesëtar i pakicës (shqiptar). “Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”, ka thënë ai. Jevto Erakoviq (PDS) vlerësoi se nuk ka pasur qeveri të tillë në historinë e parlamentarizmit malazez. “Pak a shumë performanca mund t’i atribuohet kryeministrit. Ai la rrugën kryesore për në BE që ishte përcaktuar dhe për të cilën ne i dhamë mbështetje. Na mashtroi ne, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Sekret, i fshehur, i paparalajmëruar. Ato ishin fjalët dominuese kur përshkruajmë punën e qeverisë”. Slaven Radulloviq (FD) tha se vetëm PDS nuk duhet të kthehet. Ai gjithashtu theksoi se nuk është zgjidhje që e njëjta qeveri të vazhdojë edhe pas rënies së qeverisë. Deputeti Demokrat Boris Bogdanoviq tha se pothuajse ose më shumë se 90 për qind e deputetëve nuk e mbështesin qeverinë. Ai thotë se vendimi i demokratëve nuk është kundër askujt, por për qytetarët e Malit të Zi dhe Malin e Zi. Deputetja e URA-s, Bozhena Jelushiq, theksoi se po përballemi me një rënie të caktuar të Qeverisë, edhe pse kemi një vjeshtë të pasigurt. Ajo u bëri thirrje deputetëve që të marrin përgjegjësi dhe të përpiqen të zhbllokojnë Malin e Zi. Branko Radulloviq (LPN)  tha se ai “sheh dritë në fund të tunelit”. Ai i tha Abazoviqit se ka bërë shumë gabime dhe ka bërë pak për reformat. Deputeti i Partisë Boshnjake Sulo Mustafiq tha se qeveria ka humbur besimin në parlament. “PB fton të gjitha forcat demokratike që të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët – stabilizimin e kushteve politike”, tha Mustafiq. Deputeti i SD-së Damir Shehoviq tha se partia e tij me kënaqësi do të votojë për rënien e Qeverisë. Deputeti i PSP-së Adnan Strikoviq tha se është e qartë se Qeveria e 43-të e ka kryer misionin e saj dhe ka rënë. “Mendoj se është e kotë të diskutohet nëse një qeveri që nuk mbështetet nga 6/7 e parlamentit duhet të vazhdojë të funksionojë”, tha Strikoviq. Deputeti i Partisë Liberale Andrija Popoviq tha se qeveria është një dështim i madh. Ai shtoi se janë shkelur parimet themelore të bashkëpunimit ndërmjet tetë përbërësve dhe prioritetet normative për përmbushjen e anëtarësimit në PE dhe se Mali i Zi ka pësuar dëme të mëdha. Do të votojmë për shkarkimin e Qeverisë, ka përfunduar Popoviq. Deputeti i Forcës Genci Nimanbegu thirri deputetët për të diskutuar për daljen nga kriza si dhe paralajmëroi se do të abstenojë gjatë votimit të mosbesimit të Qeverisë aktuale. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se nëse nuk e humb besimin në parlament, do të fillojë riformatimin e kabinetit të tij. Nëse, thotë ai, formohet një shumicë e re, mund të pritet që ajo të kryejë procese të reja. Ai gjithashtu shpjegoi se riformatim i Qeverisë së Malit të Zi nënkupton që kryeministri të mbetet i njëjtë, “Kjo mund të mos jetë shpjeguar sa duhet për qytetarët. Nëse kryeministri jep dorëheqje ose nëse zëvendësohet qeveria, Presidenti i Malit të Zi duhet t’ia japë mandatin dikujt tjetër”. Iniciativa për shkarkimin e tij ka nisur, thotë ai, në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, “nëse dikush mendon se duhet ta anulojmë atë, të kthehemi prapa, kjo është në rregull për mua. Kjo flet për qëndrimin e atyre njerëzve ndaj asaj që ndodhi”. Qeveria e pakicës, siç tha ai, nuk ekziston më, “nëse qeveria mbijeton dhe ne shkojmë në riformatim, do të jetë një qeveri teknike që duhet të përgatisë zgjedhjet”.

SHARE