KOSOVA DHE SERBIA PRITET TË RIFILLOJNË BISEDIMET GJATË MUAJIT GUSHT

Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet gjatë këtij muaji pas një ftese të shefit për politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell drejt kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vucic. Bashkimi Evropian kërkon që të shmangen tensionet si ato të së dielës në veriun e Kosovës. Megjithëse zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se “një takim i radhës, pritet të bëhet në javën e tretë të këtij muaji”. Edhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht. Tensionet shpërthyen të dielën në komunat veriorë të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia. Qetësia u rivendos pasi qeveria e Kosovës pranoi kërkesën amerikane për një shtyrje 30 ditëshe të zbatimit të vendimeve. Pas kësaj shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”. Kryeministri Kurti tha se kurdo që merr ftesë nga zoti Borrell është i gatshëm të shkojë në Bruksel. Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se do të shkojë në Bruksel, por nuk pret asgjë nga bisedimet me kryeministrin Kurti.

SHARE