Mali i Zi sot feston Ditën e Shtetit, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur u njoh si një shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit. Në të njëjtën ditë në 1941, filloi një kryengritje popullore kundër fashizmit. Kongresi i Berlinit, i cili zgjati nga 13 qershori deri në 13 korrik, u thirr me iniciativën e Austrisë, me pëlqimin e detyruar të Rusisë dhe pëlqimin e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Turqisë, për rishikimin e Traktatit të San Stefano. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, vendosi një kurorë lulesh në monumentin e luftëtarit të Partizanit në Goricë, me rastin e 13 korrikut – Ditës së Shtetësisë. “Mali i Zi feston sot Ditën e Shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur u njoh zyrtarisht ndërkombëtarisht në Kongresin e Berlinit dhe po të njëjtën datë në vitin 1941, kur populli i Malit të Zi filloi kryengritjen e parë kundër fashizmit në Evropë”, njoftoi Qeveria e Malit të Zi. “Bashkimi Evropian (BE) e ka kuptuar se është një moment kritik për të vazhduar dhe përfunduar procesin e bashkimit të Evropës në kohën e duhur, dhe kjo përfshin anëtarësimin e afërt të Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit,” tha presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Në pritjen me rastin e 13 Korrikut – Ditës së Shtetësisë, ai tha se sot, 81 vjet pas Kryengritjes së Trembëdhjetë Korrikut të vitit 1941, në Malin e Zi të lirë e të pavarur, nuk është shuar ideja e madhe që nisi atë ngjarje madhështore. Po ashtu, edhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë uruar 13 korrikun dhe në shënjë respekti kanë vendosur kurorë. Me rastin e kremtimit të 13 korrikut – Ditës së Shtetit, urime erdhën edhe nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Mal të Zi si dhe nga zyrtarë të lartë nga rajoni dhe bota.