Nord Stream 1, gazsjellësi më i madh i vetëm që transporton gazin rus në Gjermani, filloi sot mirëmbajtjen vjetore, gjë që sjell pezullimin e punës për të paktën 10 ditë. Por disa qeveri, tregje dhe kompani evropiane shqetësohen se mbyllja mund të zgjatet edhe më shumë se kaq. Tubacioni Nord Stream 1 transporton 55 miliardë metra kub (bcm) gaz në vit nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik. Muajin e kaluar, Rusia uli flukset në 40% të kapacitetit total të tubacionit, duke përmendur kthimin e vonuar të pajisjeve që vijnë nga Kanadaja. Kanadaja po hezitonte me dhënien e lejes për turbinën e gazsjellësit, sepse dhënia e turbinës do të shkelte sanksionet kundër Gazpromit. Por në fundjavë qeveria në Otava dha një leje të kufizuar, që u përshëndet nga kancelari Scholz. Evropa tani ka frikë se Rusia mund të zgjasë mirëmbajtjen e planifikuar për të kufizuar më tej furnizimin me gaz evropian, duke çuar në rrëmujë planet për mbushjen e magazinave për dimër, ndërkohë që ka rritur krizën e gazit që ka sjellë fatura të larta për konsumatorët. Ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se vendi duhet të përballet me mundësinë që Rusia të pezullojë rrjedhat e gazit përmes Nord Stream 1 përtej periudhës së planifikuar të mirëmbajtjes. Në vitet e mëparshme, periudha vjetore e mirëmbajtjes në Nord Stream 1 ka zgjatur rreth 10-12 ditë dhe ka përfunduar në kohë.