PROPOZIMI FRANCEZ, PENDAROVSKI: KOMPROMIS KALIMTAR, AS DËSHTIM E AS TRIUMF HISTORIK

Teksa në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë diskutimet nëse duhet pranuar apo propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, presidenti Stevo Pendarovski e konsideron atë “të  pranueshëm”, duke e përshkruar si një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin marrin pjesë institucionet kryesore të shtetit, presidenti tha sa qeveria duhet të të miratojë edhe një konkluzion apo aneks në propozimin e modifikuar se do të refuzojë bisedimet në rast se gjatë këtij procesi pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas. “Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them sepse e dimë se me kë kemi të bëjmë”, deklaroi kreu i shtetit maqedonas, që beson sidoqoftë se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe se nuk mund të bëhet fjalë për bullgarizimin e maqedonasve, siç pretendojnë opozita dhe personalitete tjera politike dhe akademike në Maqedoninë e Veriut. “Frika te një pjesë e maqedonasve se në BE do të hyjmë vetëm si bullgarë, nuk qëndron. Si mundet që një maqedonas të bëhet bullgar?… Në historinë e diplomacisë botërore nuk ekziston diçka e tillë, se me marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe dikush brenda natës ju ndërron identitetin”, tha ai, ndërsa shtoi se nuk e sheh propozimin as si triumf historik, e as si dështim. Partia më e madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE,  e konsideron këtë propozim të papranueshëm dhe i ka kërkuar kryeministrit Kovacevski refuzimin e tij duke i ofruar në këmbim që të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

SHARE