Profesionalizimi i administratës publike është një nga kushtet më të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe reforma të tjera, kanë theksuar kryeministri Dritan Abazoviq dhe ministri i Administratës Publike Marash Dukaj. Siç është bërë e ditur nga Ministria e Administratës Publike (MAP), Abazoviq ka thënë se pa administratë publike efikase, Mali i Zi nuk mund të arrijë qëllimin e tij strategjik, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE). “Faleminderit që vendosët të sakrifikoni për shtetin, pavarësisht pagave modeste. Qëllimi është të besojmë në punën tonë dhe se ajo bazohet në Kushtetutë dhe ligj dhe që rezultati ynë të jetë më i mirë dhe më cilësor”, tha Abazoviq mbrëmë në pritjen me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Administratës Publike. Dukaj tha se sfida më e madhe në profesionalizimin e administratës publike është depolitizimi i saj. Duke folur për aktivitetet e Ministrisë, ai tha se MAP është duke punuar me ambiciozitet në disa drejtime strategjike. Dukaj tha se një nga prioritetet është përmirësimi i situatës në fushën e dixhitalizimit. Ai shtoi se ky është një nga elementët kyç të reformës së administratës publike në vendet e zhvilluara. Sipas tij, Mali i Zi, për fat të keq, në këtë drejtim mbetet prapa Evropës Perëndimore dhe disa vendeve përreth. Në ceremoni u ndanë edhe çmime për zyrtarët më të mirë, gjë që sipas Dukajt tregoi se puna e tyre vlerësohet dhe se MAP pohon përpjekjet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë në drejtim të krijimit të një administrate të besueshme. “Dita Ndërkombëtare e Administratës Publike është një mundësi për të theksuar se këto synime mund t’i arrijmë vetëm me zyrtarë dhe punonjës civilë kompetentë, profesionistë dhe të përkushtuar, të cilët janë bartës të të gjitha proceseve drejt prosperitetit të Malit të Zi”, tha Dukaj.