Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili qëndron për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti tha se kancelarin gjerman e ka siguruar se përkundër rrethanave të vështira qeveria e Kosovës po bën reforma. Kurti tha se në takim me Scholz ka kërkuar mbështetje nga Gjermania në rrugën e anëtarësimit në institucionet e Bashkimit Evropian (BE). “E sigurova kancelarin se në përputhje me premtimet dhe perspektivën evropiane po punojmë për përmbushjen e reformave të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian. Kërkesa për mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, theksoi Kurti. Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti tha se Kosova është treguar palë kreative, konstruktive dhe e përkushtuar, por “Serbia po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që po ofron Kosova mbi Marrëveshjet e Berlinit, sikurse rasti i targave të automjeteve”. Tutje, kryeministri kosovar tha se Procesi i Berlinit është mundësia më e mirë e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë presin me padurim ri-jetësimin e tij nën udhëheqjen e kancelarit Scholz. Kancelari gjerman tha se vizita në muajin maj në Gjermani e kryeministrit Kurti dhe tani vizita e tij në Kosovë tregojnë “se sa të ngushta janë marrëdhëniet midis dy vendeve”. Scholz në takim me Kurtin tha se biseduan për një sërë çështjesh, pa përjashtuar edhe liberalizimin e vizave për kosovarët, për të cilën tha se po punojnë që t’i bindin edhe partnerët e BE-së për ta mbështetur këtë proces. Duke folur për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe ndërmjetësimin e BE-së, Scholz tha se me rëndësi për Kosovën është që ky proces të çohet përpara dhe përfundimi i tij të jetë me njohje të ndërsjellë. Sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Scholz tha se Gjermania i jep prioritet të madh tregut rajonal ndërsa theksoi se “është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme”