Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u detyrua të anulojë udhëtimin e tij në Serbi sot pasi një sërë vendesh përreth e ndaluan avionin e tij të hynte në hapësirën e tyre ajrore. Pas kësaj situate, Kremlini e ka përshkruar veprimin nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i Zi si “veprim armiqësor”. Para pak çastesh Lavrov ka folur mbi këtë situatë të cilën e ka quajtur të paprecedente. Ai shtoi se homologu i tij serb është ftuar në Moskë dhe ai “shpreson se udhëtimi i tij nuk do të pengohet”. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se veprime të tilla mund të shkaktojnë probleme me orarin e takimeve diplomatike të nivelit të lartë. Megjithatë, ata nuk do ta pengojnë Moskën të mbajë kontakte me vendet mike, tha ai.