MAKTHI I MOSKËS BËHET REALITET: FINLANDA E SUEDIA DORËZOJNË APLIKIMIN NË NATO

Tashmë është zyrtare, dhe një makth i hershëm i Moskës bëhet realiteti, si për ironi të fatit, i nxitur prej asaj vetë: Finlanda dhe Suedia kanë paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë, një lëvizje kjo e nxitur pikërisht nga shqetësimet e sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Mirëpres përzemërsisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë. Kjo është një ditë e mirë në një moment thelbësor për sigurinë tone. Diplomatët shpjegojnë se procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërsa ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare mund të shkojë deri në një vit. Ngërcin më të madh e paraqet kundërshtia e Turqisë; presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka shprehur rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Nëse kapërcehet kjo pengesë, dhe bisedimet e pranimit rrjedhin pa problemeve të mëtejshme, të dy vendet mund të bëhen anëtarë brenda pak muajsh. Edhe pse procesi zakonisht zgjat tetë deri në 12 muaj, por NATO-ja dëshiron të lëvizë shpejt duke pasur parasysh kërcënimin rus që qëndron mbi kokat e vendeve nordike. Ndonëse për dekada me radhë, Finlanda dhe Suedia kishin zgjedhur t`i qëndronin politikës së tyre të neutralitetit, agresioni rus në Ukrainë bëri që opinion publik në të dy këto shtete të ndryshonte, duke u orientuar tani masivisht në favor të anëtarësimit. Përpara faktit të kryer tashmë, Vladimir Putin i zbuti tonet një ditë më parë, duke bërë dallimin mes anëtarësimit në NATO dhe afrimit të infrastrukturës ushtarake perëndimore në kufijtë e Rusisë. “Për sa i përket zgjerimit, duke përfshirë Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të rinj, Moska nuk ka asnjë problem me këto shtete. Problemi, është përdorimi “agresiv” i zgjerimit nga Shtetet e Bashkuara, që po rëndojnë akoma edhe më shumë një situatë tashmë tejet të tensionuar”, ka qenë shpjegimi i presidentit rus për bashkëbiseduesit, që dëgjonin në heshtje.

SHARE