DUKAJ PRITI AMBASADOREN E TURQISË OZAN: BASHKËPUNIM NË NDËRTIMIN E ADMINISTRATËS PUBLIKE MODERNE DHE EFIKASE

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ka pritur sot ambasadoren e Republikës së Turqisë Songul Ozan, e cila e ka uruar për marrjen e detyrës dhe ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore mes Malit të Zi dhe Turqisë dhe bashkëpunimin e deritanishëm ndërshtetëror. Ozan përshëndeti aktivitetet në ndërtimin e një administrate publike moderne dhe efikase dhe ritheksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer përvoja në fushën e administratës publike dhe dixhitalizimit, ngritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit. Dukaj falënderoi Turqinë për mbështetjen dhe prezantoi prioritetet në punën e këtij departamenti dhe aktivitetet në procesin e dixhitalizimit dhe reformës së administratës publike dhe ngritjen e një administrate publike moderne dhe efikase në Mal të Zi. “Dixhitalizimi është një nga prioritetet jo vetëm të Ministrisë së Administratës Publike, por edhe të Qeverisë së re, të 43-të të Malit të Zi. Duke pasur parasysh arritjet e mëparshme, synimi ynë është të vazhdojmë të përmirësojmë administratën publike dhe të krijojmë një administratë publike efikase dhe transparente të orientuar nga qytetarët. “Jemi të përkushtuar që administrata publike të jetë një shërbim i vërtetë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha Dukaj.

SHARE