SHQIPËRIA PO NDJEK TË GJITHA REFORMAT E NEVOJSHME PËR T’U ANËTARËSUAR NË BE

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim në Tiranë ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, ndërkohë në konferencën e përbashkët për media pas takimit u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në procesin e integrimit evropian. Ministrja Xhaçka theksoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Lituanisë janë shumë të mira dhe miqësore, ndërkohë sipas saj ka vullnet reciprok për forcimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. “Vitet e fundit marrëdhëniet tona kanë njohur zhvillime pozitive dhe premtuese, megjithatë jemi të mendimit se mes dy vendeve ka ende potencial të pashfrytëzuar, sidomos në planin ekonomik, ku synojmë të punojmë së bashku për t’u ofruar bizneseve, investitorëve dhe turistëve të të dy vendeve, mundësitë dhe kushtet e nevojshme”, tha ajo. Xhaçka u shpreh se në bisedën me homologun e saj diskutuan edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe rreth rëndësisë së këtij procesi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në. Ministri ka theksuar se Shqipëria po ndjek të gjitha reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimi Evropian. Gjatë vizitës është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për konsultime dypalëshe mes dy ministrive të jashtme, me të cilin synohet shkëmbimi i eksperiencave mes dy institucioneve.

SHARE