Lidhja Demokratike Shqiptare në kumtesën e vet lidhur me zgjedhjet lokale në Podgoricë thërret qytetaret e Malësisë ti bojkotojnë këto zgjedhje.
LDSH, kohë më parë i kishte ftuar subjektet e tjera politike shqiptare, për të përkrahur një kandidat të përbashkët, por të pavarur që, sipas analizave dhe vlerësimeve të tyre, ishte e vetmja mundësi që garantonte sukses dhe faktorizim të shqiptarëve që jetojnë në Kryeqytet, edhe pas ndarjes së Tuzit.
Mirëpo, siç qëndron në kumtesë, kjo nuk hasi në mirëkuptim te partitë e tjera shqiptare në Malësi. “Paraqitje aq me ngut, në këto zgjedhje, e atyre që pohojnë se në shtator do të kemi komunën tonë, le hapësirë për të dyshuar se komuna e Malësisë është akoma në pritje!”
Thuhet në kumtesë dhe vazhdon: ”LDSH, mbas të gjitha analizave, vëren kotësinë e daljes si e vetme në këto zgjedhje, dhe duke u bazuar në parimet programore të qarta që artikulojnë vetëm interesin e përgjithshëm të Malësisë, e jo interesat e ngushta, i fton qytetarët shqiptarë të Malësisë që së bashku t’i bojkotojnë këto zgjedhje”.
Sipas LDSH Interesi i tyre kryesor është që t’i përkushtohen vetes, t’i përkushtohen Malësisë! Prandaj, kumtesën e tyre e përfundojnë me moton; “ASNJË VOTË për PDS-në; asnjë votë për shërbëtorët e saj”.
RESPEKTO VETËN – BOJKOTO!