ZJARRË VDEKJEPRURËS NË SPITALIN E COVID-19 NË TETOVË

Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave të sëmurë me sëmundjen COVID-19, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut. Incidenti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 21:00. “Në momentin e shpërthimit të zjarrit kishte gjithsej 26 pacientë në qendrën COVID-19; 12 të tjerët po trajtohen në spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut. Asnjë punonjës shëndetësor nuk u lëndua rëndë, po ka disa me lëndime të lehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka thënë të enjten se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, por pa dhënë detaje mbi shkaqet e kësaj tragjedie. “Është fatkeqësia më e madhe, e cila ka prekur qytetin tonë. Është e dhimbshme dhe ne të gjithë mund të flasim vetëm me dhimbje… Unë jam në kontakt me të gjitha autoritetet që janë të kyçura në procesin e hulumtimit dhe procesin e zbardhjes së rastit. Çdo informatë që e marr në mënyrë të verifikuar, të njëjtën do t’ju komunikoj me qëllim që të gjithë të jeni të informuar”, ka deklaruar Arifi. E pyetur nëse shpërthimi ka lidhshmëri me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi ka thënë se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit. Ky spital ka nisur të ndërtohet në fillim të vitit me vonesa të shumta, ndërsa nga mesi i prillit, Drejtoria e Spitalit të Tetovës ka ngritur shqetësimet mbi disa lëshime nga firma ndërtuese, nga e cila ka kërkuar mënjanimin e tyre, por ende nuk dihet nëse ato janë mënjanuar. Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur tri ditë zie për nder të viktimave. Paraprakisht edhe Këshilli Komunal i Tetovës ka shpallur tri ditë zie në këtë qytet, ndërsa do të ndihmojë financiarisht të gjitha familjet e viktimave për të mbuluar shpenzimet e varrimit.

SHARE