Shqiptarët dy ditë më parë festën e tyre kombëtare, duke përdorur simbolet kombëtare të njohura me Ligj dhe Kushtetutë, në përputhje me të gjitha rregulloret në fuqi.
Kështu thuhet në reagimin e kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, lidhur me deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, “se gjatë kremtimit të festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi, u valëviten flamujt e Shqipërisë së Madhe”.
Gjelaj tha se dëshiron të bëjë të qartë, se bëhet fjalë për të pavërteta dhe nënshtrime të rrezikshme politike dhe më pas citoi sa vijon:
- Kushtetuta e Malit të Zi, neni 79, pika 2, u garanton pjesëtarëve të kombëve pakicë dhe komuniteteve të tjera pakicë të drejtën për të zgjedhur, përdorur dhe shfaqur publikisht simbolet kombëtare, si dhe për të shënuar festat e tyre kombëtare.
- Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare përcakton në nenin 4 se simbolet kombëtare të popujve pakicë përcaktohen nga këshilli i tyre kombëtar, ndërsa miratimin e tyre e jep Qeveria e Malit të Zi.
- Me vendim të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, me numër 01-002-526/20-1, datë 19 maj 2020, për të cilin Qeveria e Malit të Zi ka dhënë pëlqimin më 24 shtator 2020, përcakton qartë se flamuri i kuq me shqiponjë dykrenare është simboli zyrtar kombëtar i popullit shqiptar në Mal të Zi.
Gjelaj thotë se pretendimet për “valvitjen e flamujve të Shqipërisë së Madhe” janë krejtësisht të pabaza dhe paraqesin një përpjekje për të stigmatizuar dhe synuar padrejtësisht komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
“Theksoj se në festimin e kësaj feste nuk ka pasur asnjë shkelje të ligjit, asnjë element kundërvajtës apo vepër penale. Megjithatë, deklaratat e zotërisë Mandiq, të cilat në një kontekst të ndjeshëm nacional-politik mund të nxisin stigmatizimin dhe intolerancën në bazë të përkatësisë kombëtare, kërkojnë vëmendje serioze”, tha kryetari i komunës së Tuzit.
Ai u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore që të shqyrtojnë nëse ka elemente të veprës penale në deklaratat e Mandiqit, “dhe të marrin masat e duhura në përputhje me ligjin”.