SPAJIQ: TË DHËNAT PËR SUFICIT NË MUAJIN QERSHOR, NJË LAJM I JASHTËZAKONSHËM

Fakti që një suficit prej 3 milionë eurosh u realizua në qershor është një lajm i jashtëzakonshëm që i jep krahë optimizmit të Qeverisë, tha Ministri i Financave dhe Mirëqenies Sociale, Millojko Spajiq, duke shtuar se ata sapo kanë filluar konsolidimin financiar dhe zhvillimin ekonomik. “Për herë të parë që nga viti 2016, dhe për herë të dytë në histori, ne kishim qershorin si një muaj me një suficit. Këtë herë, suficiti është strukturor  nuk kishte të ardhura të jashtëzakonshme, duke treguar kështu trendin e rimëkëmbjes rrënjësore të financave shtetërore,” shkruan Spajiq në llogarinë e tij në Twitter. Sipas Ministrisë së Financave, deficiti buxhetor për gjashtë muajt e parë të këtij viti u ul në 160.6 milion euro ose 3.5 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB). Nga ky departament qeveritar deklaruan se ekzekutimi i buxhetit në gjashtë muajt e parë karakterizohet me realizim më të lartë të të hyrave buxhetore në raport me ato të planifikuara, ndërsa shpenzimet janë më të ulëta se sa ishin planifikuar. Ata thanë se në të njëjtën kohë, një suficit buxhetor prej tre milion eurosh u realizua në qershor, i cili është rezultati i parë pozitiv i buxhetit i regjistruar që nga shtatori i vitit 2019.

SHARE