KURTEZI URON 1 SHTATORIN – DITËS SË KOMUNËS SË TUZIT

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, me rastin e 1 shtatorit, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të komunës Nik Gjeloshaj, duke theksuar se festa e ditës së Komunës së Tuzit, është një ditë e veçantë dhe jo thjesht një festë rutinore dhe kalendarike, pasi kjo ditë mbart një simbolikë të rendësishme. „Sot shënohet dita e Komunës tuaj të bukur dhe mikpritëse, e cila ka hyrë në ndërgjegjen historike të shqiptarëve, si shpalosje heroike e mbijetesës së identitetit shqiptar. Nuk ka trevë shqiptare që nuk e njeh Tuzin, nuk ka libër e program që të mos flasë dhe të mos tregojë për të dhe për njerëzit e tij trima, patriotë dhe të virtytshëm,“ tha Kurtezi. Kurtezi thekson se tri vite më parë, për herë të parë në historinë moderne të Malit të Zi, nën drejtimin tuaj, subjektet politike shqiptare arritën të bashkohen përreth Forumit Shqiptar në sienergji për të fituar, pikërisht këtu në Tuz, duke u bërë shembull edhe për të tjera njësi administrative të dominuar nga shqiptarët këtu në MZ. „Festa e sotme ka dimension të dyfishtë: jo vetëm, se është mandati i parë i administrimit të Komunës nga Forumi Shqiptar, por edhe sepse vazhdon me sukses epoka e administrimit të pavarur të Komunës në kuadër të shtetit të MZ. Komuna e pavarur është një hap përpara, që tregon pjekurinë politike të udhëheqësve të partive politike shqiptare në Tuz,“ thuhet në urim. Kurtezi tha se shteti amë dhe diaspora u angazhua në këtë drejtim, duke evidentuar kësisoj një shembull të vetëdijës kombëtare. Prandaj edhe ky zhvillim historik ka qenë një sprovë e suksesshme për drejtuesit e komunës, ashtu edhe për Forumin Shqiptar, që përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe grupet e tjera etnike të arrijnë sukses. Kurtezi shpreh bindjen se ky sukses i komunës, do të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm. Kurtezi ndihet i nderuar dhe i inkurajuar në punën e tij modeste dhe konstruktive për të zhvilluar më tej urat e fqinjësisë së mirë, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi modern.

SHARE