LIBRI “E MERITOJNË NDERIMIN” I GJEKË GJONAJT, NJË ENCIKLOPEDI E FIGURAVE SHQIPTARE

Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj vjen para lexuesit me librin e ri publicistik “E meritojnë nderimin (Figura shqiptare të shekullit XX)”, në të cilin ka përfshirë 36 personalitete të shquara kombëtare të profileve të ndryshme nga trevat e banuara me shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Në mesin e tyre ka akademikë, gjuhëtarë, punonjës të arsimit, mjekë, gazetarë, klerikë, rapsodë, afaristë dhe mërgimtarë. Në parathënien e librit, autori tregon se qëllimi i tij ka qenë ndriçimi, respektimi dhe nderimi i figurave të njohura kombëtare, historike, arsimore, kulturore, fetare dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të atdheut, duke bërë që vepra dhe kontributi i tyre të mos harrohet kurrë. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Dr. Nexhat Avdiu, recensent Mr. Mark Lucgjonaj, redaktor teknik Gazmend Çitaku, kurse ballina është disenjuar nga Rajmond Gjonaj. Në recensionin e tij për librin, redaktori Nexhat Avdiu shprehet se “ky libër në vetvete përbën një enciklopedi të figurave shqiptare dhe si i tillë autori ia ka arritur t’i radhisë me një vijueshmëri të ngjarjeve, peshën që zë çdo figurë e shquar e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri”. Për recensentin Mark Lucgjonaj, “autori Gjekë Gjonaj nuk do asgjë më shumë me këtë libër, thjesht t’i nderojë, t’i vlerësojë e t’i vendosë në ‘Log’ para lexuesve e historianëve. Ai do që vepra e sakrifica e këtyre njerëzve mos të harrohet, sepse është i vetëdijshëm se nëse nuk njohim të shkuarën, do të humbasim të ardhmen”. Gjekë Gjonaj ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet e maleve”, “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, “Bijtë e shqipes”, “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”, “Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit 1990-2016”. “E meritojnë nderimin (Figura shqiptare të shekullit XX)” është libri i tij i nëntë.

SHARE