NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTIT TURISTIK TË DURRËSIT

Në Tiranë është nënshkruar marrëveshja për zhvillimin e projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, që pritet të hapë rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e portit të ri turistik. Kontrata në fjalë është nënshkruar mes Qeverisë së Shqipërisë dhe “Eagle Hills Real Estate Development”, përfaqësuar nga investitori nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabar. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Rama tha se me firmosjen e kontratës fillon një proces tjetër, sipas tij, ai i çeljes së kantierit, i fillimit të punës dhe i hapjes së një fronti të ri të rëndësishëm punësimi. Rama shtoi se tani është koha për të nisur punën në terren dhe për t’i hapur rrugë “këtij transformimi të paimagjinueshëm deri pak vite më parë”. “Nuk diskutohet që Durrës Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm, në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik. Por Durrës Marina hyn edhe si një konkurrent në një treg shumë më të gjerë sesa tregu shqiptar, në tregun ndërkombëtar, konkurrent i cili do të ofrojë jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme, por do të ofrojë punësim cilësor”, tha Rama. Kryeministri Rama theksoi se ky investim vjen si rezultat i vendosjes së një themeli të ri për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë e së nesërmes. Në fjalën e tij në ceremoni, Alabbar tha se është krenar për këtë arritje dhe shtoi se rruga përpara është shumë entuziazmuese.

SHARE