MINISTRI I JASHTËM ÇEK KA PRITJE TË LARTA PËR LIBERALIZIM TË VIZAVE PËR KOSOVËN

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë të enjten se ka pritje të larta që brenda mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidenca çeke e përfundon mandatin në krye të Bashkimit Evropian më 31 dhjetor të këtij viti. “Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, ka thënë Lipavsky në një konferencë për media në Prishtinë. Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Lipavsky ka thënë se i ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike. “Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar për liberalizim të vizave. Janë edhe pesë procedura, por ne kemi besim të plotë që Republika Çeke do ta shtyjë përpara këtë proces përgjatë presidencës së saj”. Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës i kanë adresuar të gjitha çështjet që kanë shqetësuar shtetet skeptike për këtë proces.

SHARE