RRETH 76 MILIONË PËR RINDËRTIMIN E HEKURUDHËS TIVAR –PODGORICË – VRBNICË NGA BE

Sot është nënshkruar Marrëveshja e Huasë për Projektin e Përmirësimit të Hekurudhave të Malit të Zi ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve dhe Ministrisë së Financave, dhe Marrëveshja e Grantit për të njëjtin projekt ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve dhe Ministrisë së Transportit dhe Çështjeve Detare.

Paketa financiare e nënshkruar sot përfshin një kredi prej 40 milionë euro, një grant të BE-së në vlerë prej 35.5 milionë euro dhe mbështetje teknike për përgatitjen dhe zbatimin e projektit. Projekti do të mundësojë rindërtimin e linjës hekurudhore 167 km të gjatë për të përmirësuar efikasitetin, sigurinë dhe kapacitetin e hekurudhave, duke lehtësuar njëkohësisht kalimin në një sistem transporti më të gjelbër në vend.

Ministri i Financave, Novica Vukoviq, me këtë rast tha:

„Qëllimi ynë në partneritet me BEI është të inkurajojmë zhvillimin e infrastrukturës më të mirë, më efikase dhe më të sigurt. Kjo do të përmirësojë përfundimisht lidhjen dhe do të përshpejtojë rritjen ekonomike të Malit të Zi. Marrëveshja e kredisë e nënshkruar sot është një nga disa marrëveshje të lidhura me BEI, qëllimi i së cilës është forcimi dhe përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore në Mal të Zi. Sipas ligjit të buxhetit të këtij viti, BEI së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojnë rindërtimin e hekurudhës në seksionin Tivar – Gollubovc. Ky bashkëpunim përfshin një investim deri në 113 milionë euro, me një grant të konsiderueshëm prej 112.6 milionë euro nga Bashkimi Europian, i siguruar përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.“

Qeveria e Malit të Zi do të kontribuojë me 4.5 milionë euro nga burimet e veta. Mbështetja teknike për përgatitjen, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projektit është gjithashtu pjesë e marrëveshjes së nënshkruar sot në një ceremoni të mbajtur në Podgoricë.

SHARE