SCHOLZ: BE TË HAP NEGOCIATAT ME SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË E VERIUT

Gjermania i bën thirrje Bashkimit Europian që të nisë sa më parë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelari Olaf Scholz, gjatë një takimi me kryeministren suedeze, Magdalena Anderson, paralajmëroi se çdo vonesë në këtë drejtim, e ekspozon Ballkanin Perëndimor edhe më shumë ndaj ndikimeve të huaja. Ai shtoi se BE duhet të çojë përpara reforma institucionale për ta bërë veten të aftë për zgjerim. “Magdalena dhe unë pajtohemi: Ne duam ta bëjmë BE-në në tërësi më të fortë, më të pavarur dhe më elastike, si brenda dhe jashtë. Duke marrë parasysh atë që sapo përmendëm, duhet të bëjmë përparim të vërtetë brenda Unionit. Për shembull, folëm për faktin se është koha që të hapen sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor më të prekshëm ndaj ndikimit të palëve të treta”, tha Kancelari gjerman.

SHARE