KRYETARI GJELAJ PRITI NË TAKIM AMBASADOREN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ZHAKLINA PETO

Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, priti sot ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.

Në këtë takim u bisedua mbi zhvillimet në komunën e Tuzit, posaçërisht në sektorin e turizmit, si potencial i jashtëzakonshëm i komunës së Tuzit, si dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë në fushat e kulturës, sportit, politikave të të rinjve për të rritur rolin e tyre në hartimin e politikave rinore dhe vendimmarrjen vendore.

Kryetari Gjelaj e informoi ambasadoren Peto me arritjet e komunës së Tuzit në mandatin e kaluar si dhe me planet për zhvillimin e komunës në të ardhmen, ku vëmendje e veçantë do ti kushtohet përmirësimit të infrastrukturës.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, shprehu mbështetjen e Republikës së Shqipërisë ndaj komunës së Tuzit, dhe të gjithë trevave ku jetojnë shqiptarë në Mal të Zi, që është edhe obligim i shtetit amë.

Në takim morën pjesë kryetari i kuvendit të Komunës, Fadil Kajoshaj dhe nënkryetari Ivan Ivanaj, si dhe diplomati i ambasadës Igli Pira.

SHARE