OSMANI-VON DER LEYEN: MASAT E PA DREJTA NDAJ KOSOVËS DUHET TË LARGOHEN PËRFUNDIMISHT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim në Prishtinë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila qëndron në vend për një vizitë zyrtare në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.

Pas takimit në Zyrën e Presidentes së Kosovës, me qëllim të diskutimit për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) dhe përfitimet për Kosovën, Osmani dhe von der Leyen kanë mbajtur konferencë për media.

Presidentja Osmani tha se Kosova po dëshmon vazhdimisht qasje konstruktive dhe po vepron në fqinjësi të mirë me shtetet e rajonit dhe ka sistemin kushtetues më të avancuar në rajon sa i përket të drejtave të pakicave.

“Rrjedhimisht është koha e fundit që edhe masat e pa drejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç se të pa drejta këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Dhe kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut duke e bërë atë të pa balancuar, të pa barabartë dhe të pa kredibilitet. Heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani, duke nënvizuar se do të bashkëpunojnë me von der Leyen për t’i bindur edhe vendet anëtare për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Më tej, ajo tha se në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë “sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë dhe ajo është Serbia”.

Presidentja kosovare gjithashtu tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE duhet të marrë trajtimin e merituar.

Von der Leyen në fjalën e saj tha se në vitet e kaluara Kosova ka punuar shumë për të forcuar demokracinë. Ajo tha se në mandatin e dytë të saj si presidente e Komisionit Evropian, zgjerimi i BE-së do të jetë lartë në agjendë si projekti më i madh.

“Mirëpresim shumë hapjen e kufirit, por edhe progresin që është shënuar në CEFTA. Tani, duke u bazuar mbi këto hapa të rëndësishëm duhet të bëjmë hapa të tjera, ashtu që të arrijmë tek një pikë ku të jemi në gjendje të heqim të gjitha masat. Dhe, kjo do të na ndihmojë të bindim edhe vendet anëtare se duhet të japin pëlqimin për secilin hap. Ne të dyja jemi shumë të vendosura që të gjejmë të gjitha mënyrat, mjetet, hapat, për të ecur përpara për qëllimin tonë të përbashkët”, theksoi von der Leyen.

Von der Leyen tha se projekt i përbashkët është që Kosova të bëhet pjesë e BE-së dhe se nga e saj “do të bëjë çdo hap të domosdoshëm”.

Shefja e Komisionit Evropian të mërkurën nisi turneun në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vizitoi Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe sot Kosovën, pas çka pasdite ajo do të udhëtojë në Mal të Zi.

Gjatë vizitës, von der Leyen është fokusuar më së shumti në procesin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe ndihmën që BE-ja vazhdon t’u ofrojë vendeve të rajonit për të arritur progres në këto fusha.

SHARE