Bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Kosovës është shumë i mirë dhe se duhet të forcohet veçanërisht në fushën e turizmit, arsimit dhe projekteve të përbashkëta në fushën e përmirësimit të të drejtave të pakicave, u theksua në takimin e ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka dhe zëvendësministrit në Qeverinë e Kosovës Mevlud Sinani.
“Në periudhën paraprake është bërë shumë për përmirësimin e të drejtave të popujve pakicë”, tha Gjeka, duke shtuar se ka përfunduar edhe digjitalizimi i gjuhës shqipe që ishte shumë i nevojshëm dhe se trajnimi për përdorimin e këtij softueri të ri pritet së shpejti.
Departamenti thekson se bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Mal të Zi dhe Kosovë, me ç’rast ministri Gjeka tha se “pajtohet” me njoftimin se regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi do të shtyhet dhe se pret që ai të mbahet sipas të gjitha standardet evropiane.
Zëvendësministri Sinani e falënderoi Gjekën për mundësinë që të diskutojë për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy ministrive, si dhe ta informojë për projektet e realizuara për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive, subvencionet bujqësore, Start-up, etj.
“Bashkërisht u tha se ky është hapi i parë për vazhdimin e bashkëpunimit të përbashkët për mbështetjen e projekteve në fushën e përmirësimit të të drejtave të popujve pakicë”, theksoi ministria.
Në takim thuhet se ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha.