TAKIMI KURTI-VUÇIQ NGA I CILI BE-ja PRET PAJTIM PËR MARRËVESHJEN BAZË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë. Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve. “Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter. Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

SHARE