BE-ja E KONSIDERON HAP POZITIV VENDIMIN E SERBISË PËR NJOHJEN E AUTOMJETEVE ME TABELA “RKS”

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konsideruar hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi vendimin e Serbisë për t’i njohur tabelat e automjeteve “RKS”, të lëshuara nga Republika e Kosovës.

Stano nëpërmjet rrjeteve sociale tha se BE-ja e mirëpret vendimin e Serbisë që sipas tij përbën “një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit” si dhe hap pozitiv për angazhimet e kaluara të Dialogut Kosovë-Serbi lidhur me lirinë e lëvizjes.

“Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, theksoi Stano.

Ai gjithashtu tha se ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të vendosjes së ngjitëseve mbi simbolet shtetërore të njëra-tjetrës në tabelat e automjeteve, në momentin që automjetet “RKS” futen në Serbi, apo anasjelltas.

“BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, është shprehur zëdhënësi i BE-së.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një deklaratë për mediat vendase ka bërë të ditur se qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin e lirë të automjeteve me tabela të Republikës së Kosovës (RKS) në vend.

Petkoviq ka thënë se kanë marrë parasysh faktin që shumica e serbëve në Kosovë kanë filluar të përdorin automjete me tabela RKS dhe ka theksuar se vendimi në fjalë do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për të gjithë kufijtë dhe vendkalimet administrative.

SHARE