PËR SHQIPTARËT PËRCAKTUES SHUMË I RËNDËSISHËM GJUHA DHE KOMBI

Për përfaqësuesit e partive shqiptare, është i papranueshëm propozimi i Qendrës për Tranzicion Demokratik (CDT) që qytetarët në regjistrimin e pupullisë të panifikuar për vitin e ardhshëm mos të deklarojnë kombësinë, gjuhën dhe fenë. Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare (LDSH), Nikollë Camaj deklaroi se ky propozim është i papranueshëm. “Për popullin shqiptar në Mal të Zi, përcaktues shumë i rëndësishëm është kombësia dhe gjuha, dhe në bazë të këtyre të dhënave, pakicat sigurojnë ushtrimin e të drejtave themelore. Për shqiptarët është mjaft e rëndësishme që të përcaktohen për kombin dhe gjuhën, shumë më tepër se sa për përkatësinë fetare,” tha Camaj. “Nëse nuk dihet se sa popuj pakicë jetojnë në Mal të Zi dhe në cilin numër, ata nuk do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore, si të gjithë qytetarët e tjerë, gjë që do t’i diskriminonte ata “, u shpreh Camaj. Mbi këtë çështje është deklaruar edhe Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), Mehmet Zenka i cili ka vlerësuar se iniciativa e CDT për të mos deklaruar të dhënat për përkatësinë kombëtare, fetare dhe gjuhën është e pajustifikueshme dhe se pyetjet në lidhje me fenë, kombin dhe gjuhën duhet të mbetën në listën e regjistrimit. Gjithashtu, Kryetari Partisë Demokratike (PD), Fatmir Gjeka, beson se deklarimi për kombësinë, gjuhë dhe fenë duhet të ekzistojë si opsion.

SHARE