KUVENDI I KOMUNËS SË TUZIT MIRATON RIBALANCIMIN E BUXHETIT DHE NJË SËRË VENDIMESH TË RËNDËSISHME

Sot u mbajt seanca e X e Kuvendit të Komunës së Tuzit, ku këshilltarët diskutuan dhe votuan mbi ribalancimin e buxhetit për vitin 2024, duke e çuar shumën totale të buxhetit në 8,459,282 euro, një rritje prej 405,295 euro ose 5% më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht.

Në shpjegimin e vendimit për ribalancimin, theksohen disa arsye kryesore për këtë rritje: pagesa e detyrimeve të borxhit, rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, transferimi i mjeteve nga viti i kaluar, si dhe rritja e të ardhurave nga buxheti i Malit të Zi dhe nga donacionet kapitale.

Këto ndryshime kanë siguruar më shumë fonde për investime dhe projekte në Komunë.

Sekretari për Financa, Driton Gjokaj, paraqiti Propozimin e Konkludimit mbi pranimin e Raportit gjysmëvjetor mbi të ardhurat e përgjithshme dhe shpenzimet totale për periudhën 01.01. – 30.06.2024, ku deklaroi se buxheti është realizuar 47.28%.

Gjithashtu, u miratua edhe Propozimi i Konkludimit mbi miratimin e Raportit për punën e Komisionit për shpërndarjen e mjeteve për mbështetjen e sipërmarrjes së grave për vitin 2022 dhe shpenzimin e mjeteve financiare.

Gjatë seancës u votua edhe për vendimin mbi përcaktimin e çmimeve të veprimtarisë së rregulluar komunale për ofruesin e shërbimeve publike të SHPK “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Tuz për vitin 2025, ku çmimi për personat fizikë dhe juridikë do të jetë 0,4584 €/m3.

U miratua gjithashtu vendimi për ndryshimin e vendimit për përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e plotë të pronës së paluajtshme për rindërtimin e rrugës Podgoricë-Tuz, nga ura e Zharnicës në Cem deri te kthesa për Shipshanik.

Në këtë seancë, u votua edhe për jurinë që do të ndajë çmimin “15 Dhjetori” të Komunës së Tuzit për vitin 2024.

U miratua propozimi mbi dhënien e pëlqimit për ndryshimin e parë të programit vjetor të veprimtarisë komunale të SHPK Komunale për vitin 2024, ku ishte parashikuar buxheti prej 250,000 euro për projekte të cilat jane realizuar deri tani. Kjo shtesë nga komuna do realizohet për një projekt për blerjen e makinerisë për larjen dhe pastrimin e rrugëve me një vlerë prej 80,000 euro.

Vendimi mbi dhënien e pëlqimit për çmimoren e shërbimeve të shfrytëzimit të stadiumit sportiv dhe fushës ndihmëse të klubit futbollistik „Deçiq“ u votua gjithashtu.

Po ashtu, u caktua edhe çmimorja e transportit publik të pasagjerëve në linjën ndërurbane dhe lokale, ku bileta njëditore do të kushtojë 1 euro, ndërsa abonimet mujore për pensionistët do të jenë 20 euro, për nxënës dhe studentë 25 euro, dhe për punëtorë apo qytetarë të tjerë 30 euro.

Drejtori i SHPK „Komunale“ Admir Biorac njoftoi se po punohet në krijimin e një karte që do të vlejë edhe për transportin e kryeqytetit, dhe u dakordua që të punohet për zbritje për përfituesit e ndihmës sociale.

U miratua edhe çmimorja për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e objekteve sportive të KF „Deçiq“ dhe fushës ndihmëse, ku çmimi ditor për një ushtrim do të jetë 475 euro për stadiumin kryesor dhe 430 euro për stadiumin ndihmës, për një periudhë stërvitjeje prej 4 orësh.

Pas një ankese nga opozita, u ra dakord që të shqyrtohet përsëri kjo çështje për të bërë ndryshime që do të ofrojnë zbritje për klubet lokale.

Në këtë seancë u zgjodhën dhe u emëruan anëtarët e trupit punues për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, ku u propozua Gjergj Camaj si kryetar, dhe anëtarët Ferhat Dinosha, Nikollë Camaj, Senad Gilaj, Luigj Dedvukaj, Allmir Lulanaj dhe Tonin Gjurashaj.

Opozita, megjithatë, nuk dha 2 emrat e anëtarëve që u takonin pasi kërkuan 4 përfaqësues, duke argumentuar se kjo është një temë delikate.

SHARE