Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, gjatë seancës së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vlerësoi se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë marrëdhënie të një partneriteti të qëndrueshëm.
“Këto janë marrëdhënie të partneritetit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm brenda NATO-s, marrëdhënie bilaterale të mirëkuptimit të madh dhe pikëpamjeve të ngjashme mbi problemet botërore pavarësisht se bëhet fjalë për dy shtete me madhësi dhe rëndësi të pabarabartë. Ne jemi plotësisht të bindur se Neni 5 i Traktatit për NATO-n është po aq i fortë siç ka qenë edhe më parë “, tha Darmanoviq për Zërin e Amerikës.
I pyetur rreth negociatave midis Serbisë dhe Kosovës, Darmanoviq tha se Mali i Zi, gjithmonë ka mbështetur fuqimisht dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, por qëndrimi lidhur me paralajmërimet e ndryshimit të kufijve është që siguria dhe stabiliteti i rajonit për ta është primar.
“Ajo që mund të sjellë një zgjidhje të bazuar në shkëmbimin e territorit, është gjithmonë punë e ndjeshme në Ballkan. Kjo duhet të jetë me garancitë që Ballkani të mbetet stabil. Unë i inkurajoj që të zgjidhin marrëdhëniet, por që të gjithë së bashku të kujdesemi për diçka më të gjerë, që arkitektura e Ballkanit Perëndimor mos të shqetësohet”, theksoi Darmanoviq duke iu përgjigjur pyetjes rreth qëndrimit të Malit të Zi, mbi negociatat midis Serbisë dhe Kosovës.