SPAJIQ DHE STOLTENBERG: MALI I ZI ËSHTË NJË ALEAT I ÇMUAR I NATO-s

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel.

Gjatë bisedës, bashkërisht u theksua se Mali i Zi është një anëtar i besueshëm i NATO-s dhe se është plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e synimeve strategjike të politikës së jashtme.

U theksua roli i rëndësishëm i Malit të Zi në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, paqes dhe sigurisë, në një kohë të sfidave të shumta të sigurisë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se forcimi i Aleancës është më i rëndësishëm se kurrë, prandaj hyrja e pritshme e Suedisë në NATO do të jetë shumë e rëndësishme në këtë kontekst. Politika e dyerve të hapura fitoi rëndësinë e saj veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke pasur parasysh se zgjerimi i NATO-s zgjeron zonën e sigurisë dhe mbrojtës.

Kryeministri Spajiq theksoi se Mali i Zi do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Ukrainën.

“Ne ramë dakord që Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Theksova se Mali i Zi, si anëtar i NATO-s për gati shtatë vjet, e kupton se shumë ngjarje globale kërkojnë vigjilencë dhe vëmendje të vazhdueshme nga aleatët”, tha kryeministri Spajiq.

Kryeministri e informoi Stoltenberg se Mali i Zi këtë vit ka ndarë 2.01% të PBB-së për mbrojtjen, nga të cilat 35.24% për modernizimin e pajisjeve.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg përshëndeti pjesëmarrjen dhe kontributin e ushtarëve tanë në misione.

“Mali i Zi është një anëtar i besueshëm i NATO-s dhe luan një rol të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vlerësoj angazhimin tuaj për reformat dhe integrimin euroatlantik, që do të sjellë stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Gjatë bisedës u bisedua edhe për forcimin e kapaciteteve për përballimin e sfidave të reja të sigurisë, si kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.

SHARE