MALI I ZI TË VAZHDOJË TË PËRMBUSHË DETYRIMET NGA AGJENDA EVROPIANE

Unë mbështes fuqishëm një Mal të Zi multietnik, multikonfesional dhe multikulturor, tolerant dhe të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe besoj se duke përshpejtuar zbatimin e detyrimeve nga agjenda evropiane, ai do të forcojë pozicionin e tij si anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, tha ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka në një bisedë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Xhudi Rajzing Rajnke.

Gjeka e njoftoi ambasadoren Rajnke për nivelin e realizimit të obligimeve të Ministrisë, aktivitetet në të cilat po punon dhe sfidat që ka përpara.

“Ne kemi më së shumti obligime në periudhën e ardhshme në kornizën normative, jemi duke punuar në dy strategji të reja dhe në zbatimin më të mirë të obligimeve të mbetura, pasi që pjesa më e madhe e vitit paraprak është kaluar në mandatin teknik të Qeverisë”, tha Gjeka.

Ai shtoi se tani janë duke u fokusuar në miratimin e Ligjit për mbrojtjen e barazisë dhe ndalimin e diskriminimit dhe themelimin e Drejtorisë për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Rajnke theksoi rëndësinë e ruajtjes së rrugës evropiane të Malit të Zi.

Në bisedën me ministrin, ajo ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur synimet strategjike të Malit të Zi që janë në përputhje me agjendën evropiane dhe euroatlantike, duke pasur parasysh se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të monitorojnë zbatimin e politikave në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha ambasadorja, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin civil dhe komunikimit të mirë të politikave strategjike me qëllim realizimin e aktiviteteve për zbatimin e tyre.

Bashkëbiseduesit konstatuan se bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm me sektorin civil dhe partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm në mënyrë që realizimi i qëllimeve strategjike të jetë i suksesshëm, por mbi të gjitha veprimi i Malit të Zi në përputhje me vlerat evropiane.

SHARE