NJË MUAJ PARABURGIM PËR TË DYSHUARIN PËR VRASJE NË FERIZAJ

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit një muaj kundër të pandehurit Dardan Krivaqa, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë. Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij. me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa M.O. (18) ka ndërruar jetë. Ndërsa i pandehuri tjetër Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, përkatësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur. Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit të parapara, nga fakti se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

SHARE