Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) miratuan sanksionet e reja që do të sjellin ndalime të reja tregtare kundër Rusisë, kontrolle të eksportit për produkte dhe teknologji që mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake si dhe kufizime shtesë ndaj atyre të cilët dërgojnë mjete ajrore pa pilot (dronë).
Në një postim nga llogaria zyrtare e medias sociale e Suedisë, kryesueses së radhës së Presidentes së BE-së, thuhet se vendet anëtare miratuan në përvjetorin e parë të luftës paketën e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë.
“Sot, BE-ja miratoi paketën e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në postim.
Paketa e re e sanksioneve sjell kufizime më të rrepta ndaj produkteve teknologjike dhe me përdorim të dyfishtë. Kjo do të përfshijë masa kufizuese ndaj individëve dhe organizatave që mbështesin, përhapin propagandë ose që i dorëzojnë Rusisë dronë që përdoren në luftë.
Më tej thuhet se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën pavarësisht nga koha se sa do të zgjasë.
Ndërkohë ende nuk janë ndarë të gjitha detajet e sanksioneve.
Paketa e sanksioneve që Komisioni Evropian (KE) përgatiti javën e kaluar, përfshin ndalime të eksportit për produkte në shumën që tejkalon 11 miliardë euro për të privuar ekonominë ruse nga teknologjia kritike dhe produktet e industrisë.
Paketa, e cila përfshin produkte të tilla si elektronikë, mjete speciale, pjesë makinerish dhe motorësh, pjesë këmbimi për kamionë dhe motorë reaktivë, vendos në objektiv edhe produkte të tilla si antena ose vinça, të cilat industria e ndërtimit mund t’i drejtojë për ushtrinë ruse.
Po ashtu ndalim eksporti vendoset edhe për produkte të ndryshme të cilat mund të përdoren si për qëllime ushtarake ashtu edhe për ato civile.
Në kufizime përfshihen edhe komponentët e rinj elektronikë dhe kamerat termike që mund të përdoren në sistemet e armëve të Rusisë, përfshirë dronët, raketat dhe helikopterët.
Për herë të parë, në fushën e sanksioneve të produkteve me përdorim të dyfishtë kundër Rusisë përfshihen edhe organizatat e vendeve të treta dhe në këtë kuadër në listën e sanksioneve përfshihen disa institucione iraniane.
Paketa përfshin masa të reja për të parandaluar shkeljen ose anashkalimin e sanksioneve ekzistuese.
Me paketën, në listën e sanksioneve të BE-së shtohen edhe shumë individë, ushtarë dhe politikanë, përfshirë ata që kryejnë veprimtari propagandistike, ndërkohë që ndaj këtyre personave vendoset ndalimi i udhëtimit si dhe bllokohen asetet e institucioneve dhe individëve.
Vendet anëtare të BE-së po negocionin prej 3 ditësh paketën e sanksioneve për të cilën nevojitej miratimi unanim.