MINISTRI I BUJQËSISË SË BASHKU ME KRYETARIN GJELOSHAJ VIZITUAN BUJQIT TË CILËT PËSUAN DËME NGA BRESHËRI

Me rastin e fatkeqësisë natyrore, breshrit, që i ndodhi dje Malësisë, në veçanti prodhuesve bujqësorë, sot, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me sekretaren për bujqësi dhe zhvillim rural Ismeta Gjokën, bashkë me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë ujore, Vlladimir Jokoviqin me bashkëpunëtorë, vizituan disa nga prodhuesit bujqësorë, që kishin pësuar dëme të jashtëzakonshme. Breshri me madhësi të kokrrës së arrës deri edhe të vezës për një kohë relativisht të shkurtër dje shkatërroi mundin njëvjeçar të bujqve të Malësisë të cilët bënë investime të mëdha që nga fillimi i sezonit në bujqësi, si veprimtari kryesore në komunën e Tuzit, veçanërisht në kushte të krizës ekonomike që e ka prekur jo vetëm vendin tonë, por edhe rajonin dhe po fiton përmasa globale. Në një situatë të tillë, edhe pa fatkeqësi natyrore është e kuptueshme që bujqit të presin mbështetje jo vetëm të nivelit lokal, por gjithsesi edhe të atij shtetëror – të Qeverisë.  Kryetari Gjeloshaj dhe ministri u zotuan se do të bëjnë çfarë të jetë e mundur, në mënyrë që ekonomive familjare të dëmtuara nga kjo situatë t’u ndihmojnë që sa më lehtë ta tejkalojnë këtë gjendje të krijuar. “Ministri shprehu mirëkuptimin për situatën e palakmueshme në të cilën janë gjetur bujqit e kësaj ane dhe theksoi se Ministria dhe Qeveria do të shqyrtojnë mundësitë dhe modelet në dispozicion se si mund të zbusin pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore”, thuhet në komunikatë. Jokoviq i njoftoi fermerët me sistemin e sigurimeve që ministria subvencionon në vlerë prej 5 për qind dhe theksoi se në vitin e ardhshëm do të intensifikojë aktivitetet për rritjen e mbulimit të sigurimit të kulturave bujqësore dhe blegtorale në Mal të Zi. Nga komuna e Tuzit informojnë bujqit, se që nga dita e sotme e në vijim do të punojë komisioni për vlerësimin e dëmit, i cili me daljen në terren do të japë informata më të hollësishme për dëmin e shkaktuar.

SHARE