NË TIRANË MBAHET SAMITI I DIASPORËS SHQIPTARE

Në ceremoninë e hapjes së samitit të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj u shpreh se diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit dhe sipas tij kartvizita e shqiptarisë në botë.

“Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Sot qindra mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi”, tha Begaj.

Më tej Begaj theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën dhe shtoi se “Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë”.

Presidentja Osmani në fjalën e saj tha se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv.

“Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit dhe kombit tonë. Gjatë historisë, shqiptarët pa dëshirën e tyre janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi më tej se “Mos të harrojmë që vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative”.

Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se lidhja dhe ndërveprimi me diasporën është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe për të fuqizuar besimin se “së bashku ne mund të arrijmë ta çojmë Shqipërinë dhe t’i ngremë shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë”.

“Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, kanë diçka për të dhënë për mënyrën sesi duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta”, u shpreh Rama.

Në ceremoninë e hapjes së samitit të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, si dhe zyrtarë të tjerë.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zv.kryeministri i Malit të Zi, njëherësh Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.

SHARE