Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në ditët në vijim Qeveria e Malit të Zi do të vendos se si do të vazhdojë fushata „Çmime të Limituara“, e cila skadon më 30 prill, ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
“Kemi disa modele që po i shqyrtojmë pasi fushata përfundon më 30 prill dhe në katër-pesë ditët e ardhshme do të marrim një vendim përfundimtar se si do të vazhdojmë”, tha Gjeloshaj në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjes së përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Mihail Andushiq, për hapat e mëtejshëm të Qeverisë në luftën kundër inflacionit.
Gjeloshaj tha se kanë analizuar të mirat dhe të këqijat në fushatën „Çmime të Limituara“, por se ka ende disa ide që mund të ndikojnë në blerjen e produkteve vendore dhe të mbështesin prodhimin vendas.
Gjeloshaj tha se ndërhyrja në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për ushqimet bazë kërkon një analizë më të thellë, për shkak të Strategjisë Fiskale që tashmë është miratuar.
“Besoj se duhet parë mundësia që për frutat dhe perimet të kemi të njëjtën normë të TVSH-së si për miellin, sheqerin dhe vajin. A është e mundur këtë vit, mendoj se jo, sepse tashmë e kemi miratuar buxhetin, por nëse gjejmë ndonjë të ardhur shtesë, mund të shohim”, tha ministri.
Ai shtoi se duhet të dërgohet mesazh që produktet e pashëndetshme të taksohen shtesë dhe të ulet barra tatimore për ato të shëndetshme, siç janë frutat dhe perimet, për promovimin e tyre.
Gjeloshaj rikujtoi se në periudhën 2021-2023, në Mal të Zi është shënuar inflacion i lartë për shkak të faktorëve të jashtëm, të cilët qeveria nuk ka mundur të ndikojë.
Ai tha se çmimet nuk mund të kthehen në nivelin që ishin në vitin 2021.
“Kjo është diçka që duhet të jetë e qartë për të gjithë – nuk ka kthim prapa në ato çmime. E vetmja gjë që mund të bëjmë dhe në të cilën ia dolëm është të kontrollojmë ushqimet më elementare në atë masë sa të mos lejojmë që këto çmime të rriten dhe të kufizojmë marzhet e dyqaneve”, theksoi ministri Gjeloshaj.