ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NUK DO TA RËNDONTE BE-në, POR VETËM MUND TË KONTRIBUONTE NË TË

Politika e zgjerimit do të sillte përfitime afatgjata për ekonominë e Bashkimit Evropian dhe anëtarësimi i vendit tonë, që ka pak më shumë se 500 mijë banorë, sigurisht që nuk do të rëndonte ekonominë e BE-së, por përkundrazi, do të mund të kontribuonte për të, tha kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq.

Këtë e tha Mandiq në fjalimin e tij në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, që po mbahet në Spanjë.

Ai më pas tha se pas një periudhe të rrethanave të turbullta politike, me krijimin e shumicës së re parlamentare dhe formimin e qeverisë, Mali i Zi filloi një moment të ri stabiliteti.

„Ky stabilitet është rezultat i përkushtimit të plotë të shumicës parlamentare ndaj idesë së ndërtimit të një shoqërie paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti, si dhe qëllimit tonë kyç të politikës së jashtme dhe prioritetit kyç të Malit të Zi – anëtarësimit të plotë në BE,“ ka thënë Mandiq.

Ai po ashtu tha se është shumë e rëndësishme që arritjen e këtij qëllimi ta përkrahin 80% e qytetarëve të Malit të Zi.

“Roli ynë si përfaqësues politikë të qytetarëve është ta konfirmojmë atë vullnet dhe të jemi një partner i ndershëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian,” tha kryetari i Kuvendit të Malit të Zi.

Mandiq tha gjithashtu se rezultatet e arritura nga Parlamenti së bashku me Qeverinë në një periudhë të shkurtër kohore e vendosin Malin e Zi në pozitë të përsosur për të qenë anëtari i ardhshëm i BE-së.

Ai gjithashtu theksoi se vendi ynë me meritë karakterizohet si lider në procesin e integrimeve evropiane dhe pikërisht për këtë, siç shtoi ai, jemi përpara një faze vendimtare, finale të procesit të negociatave.

Ai përshëndeti qëllimin kryesor të kësaj reforme të BE-së, sigurimin e financave publike të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke promovuar njëkohësisht rritjen gjithëpërfshirëse në të gjitha vendet anëtare përmes reformave dhe investimeve.

SHARE